Nisma Shqipëria (Zh)bëhet, telenovela vazhdon, një tjetër kandidate revokon dorëheqjen

Nga A2 CNN
17 Korrik 2025, 16:58 | Politikë

Ilirjan Celibashi do të presë deri të mërkurën që Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani ta zgjidhin me dakordësi se kush do ta gëzojë mandatin e vetëm të fituar nga Nisma Shqipëria Bëhet.

Në mesin e javës së ardhshme, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të shpërndajë mandatet e qarkut të Tiranës dhe A2 CNN ka mësuar se Celibashi do të respektojë vullnetin e kujtdo nga lista e mbyllur e koalicionit për t’u bërë deputet, ndonëse ajo ishte konsideruar fiktive nga kandidatët e dhe liderët përkatës.

Deri atëherë, sherrit Lapaj-Shabani i mbetet shija e hidhur e një politike që premtoi se do të sillte një frymë të re, por po shfaq mendësi të vjetra. Ata të cilët përpara 11 majit I premtuan shqiptarëve erën e ndryshimit, janë kthyer në armiq të përbetuar për mandatin e vetëm parlamentar që fituan.

Nisma Shqipëria bëhet arriti të fitonte në 11 majit një mandat deputeti në qarkun e Tiranës, ku sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet tyre, atë do ta merrte kandidati më i votuar në listën e hapur, ndërsa 12 persona në listën e mbyllur ishin familjarë të tyre, si garanci që do t’i qëndronin marrëveshjes strikt.

Por fjalët i merr era sidomos kur futet interesi në mes. Hapin e parë e bëri daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni i cili me dy shkresa drejtuar KQZ, fillimisht hoqi dorë nga dorëheqja dhe më pas shprehu gatishmërinë për të marrë mandatin e deputetit, akt i cili nxori në dritë prishjen e interesave ndërmjet Lapajt dhe Shabanit.

Në mos i tijit personalisht, mandati është i tiji politikisht pasi e para në lisën e mbyllur është Ana Dajko, tezja e Adriatik Lapajt. Kjo duket se merr sens juridik nga praktika që do të ndjekë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ilirjan Celibashi duket se do të presë deri në momentin e fundit për çdo kandidat në listë të mbyllur që të shprehë dëshirën për të marrë mandatin e vetëm dhe lista do të ezaurohet nga numri 1 te numri 12. 

Gjasat që të shkojnë te kandidati i fundit në listën e mbyllur janë të pothuajse zero. Kjo përforcohet edhe më shumë me faktin se një tjetër kandidate, Kleana Xhuveli e renditur e katërta u dorëhoq nga dorëheqja duke i shuar shpresat dajës së Shabanit për t’u bërë deputet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos