“Të krijohet komision i posaçëm për Reformën Zgjedhore”, Rama: Duhet adresuar depolitizimi i administratës zgjedhore

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 11:58 | Politikë

“Të krijohet komision i posaçëm për Reformën

“Duhet ngritur komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore, që duhet të adresojë rekomandimet e OSBE, ku duhet adresuar depolitizimi i administratës zgjedhore dhe dalja e rezultatit të zgjedhjeve në kohë të pranueshme.

Kështu u shpreh Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, shkruan A2.

“Ne do të jemi gjithmonë gati t’i dëgjojmë të gjithë, në respekt të atyre që i kanë zgjedhur, por nuk do të presim asnjë minutë ata që nuk do të punojnë së bashku në këtë reformë, apo asnjë reformë. Ka ardhur koha për depolitizim të administratës zgjedhore. Qoftë për komisionet qendrore zgjedhore, qoftë për vonesën në rezultatin zgjedhor, jemi specie unikale në botë”, theksoi Rama.

Një tjetër pikë është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore: “Një tjetër nevojë thelbësore që duhet adresuar pa humbur kohë është harmonizimi i ligjit të komisionit hetimor me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”.

Gjithashtu, Kryeministri kërkoi rishikimin e ndarjes administrative territoriale: “Koha ka sjellë në rendin e ditës nevojën e një rishikimi të ndarjes administrative territoriale. Prandaj, duhet të ngremë komisionin për të nisur nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet domethënëse të këtyre viteve, me fokus kryesor mirëpërgatitjen në nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në BE. Duhet të kemi një cilësi të re të qeverisjes vendore, komisioni i kësaj reforme duhet të punojë si komisionet e përhershme duke filluar nga organizimi dhe konsultimi i gjerë publik, duke ftuar dhe forcat e tjera parlamentare për të dhënë kontributin e tyre”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos