“Thirrjet ‘Sali Berisha, Sali Berisha’ në stadiumin serb i motivuan lojtarët e Kombëtares për të fituar”

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 13:39 | Politikë

Të enjten në fjalën e tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se tifozët serbë, kur donin të shanin delegacionin shqiptar në Leskovc, thërrisnin “Sali Beisha”.

“Për habinë time, për habinë e plot miqve të tjerë me të cilët isha në Leskovc para tri ditësh, tifozët serbë, kur donin të na shanin, na thërrisnin Sali Berisha, Sali Berisha. Një gazetar që ishte pranë meje ia tregoi dhe e mori në telefon dhe i thotë, “mor Doktor, çfarë kanë këta tifozët serbë që thërrasin emrin tënd?”. E thërrasin se Saliu është dhëndri i mirë i Serbisë, i ka shërbyer mirë Serbisë sa herë ka pasur mundësi”, tha Balla të enjten, përcjell A2 CNN.

Sipas Berishës, këto thirrje motivuan lojtarët e Kombëtares që të fitonin ndeshjen. “E dëgjuat ju vetë Taon? E vërteta është se në stadiumin e Leskovcit, i mbushur me ultranacionalistë të përzgjedhur nga Vuçiçi, për t’u dhënë zemër lojtarëve të vet, ka shpërthyer me histeri thirrjet Sali Berisha, Sali Berisha.

Vetëm e vetëm që të motivonin lojtarët e ekipit kombëtar. Dhe çfarë thoshte ai? Serbët na fyejnë ne duke na thënë Sali Berisha. I shihni ju çfarë vasalësh janë këta? Tao thotë në parlament se serbët na fyejnë ne duke na thënë Sali Berisha. E kuptoni se çfarë skllevërish janë këta, qenie të shpërfytyruara”, tha Berisha.

“Në fakt ndeshja u fitua dhe për herë të parë Serbia humbi, mori atë që meritonte në tokën e vet. Ai slogan në vend që të motivonte ekipin, motivoi kundërshtarët dhe aty morën një disfatë të turpshme. Le që ishin fare të dobët njëherë, ishte një ekip ndër më të dobëtit. Nuk shihej në fushë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos