Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka shkelur ligjin duke ndërprerë mandatin e anëtares së saj, Sonila Bejtja, të emëruar me dekret të Ilir Metës, kur ishte President.
“Dje, për të larguar nga Gjykata Kushtetuese armiken Sonila Bejtja, gjykatëse kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj. Përcaktimi i Kushtetutës në nenin 125, pika 6, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet më një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj, është transkriptuar, është mishëruar në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, neni 86, pika 4, në të cilin sanksionet: Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë. Pra, përtëritja me një të tretën, siç parashikon Kushtetuta, ligjvënësi e ka quajtur të drejtë ta mbajë gjer në vitin 2022”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
“Cilido që kishte kundërshti për këtë përcaktim të ligjit, që është ligj organik, të Gjykatës Kushtetuese, kishte të drejtën t’i drejtohej parlamentit, i cili mund të amendonte ligjin. Por këtë nuk e bëri as Sadushi, edhe njëherë, i marrë peng nëpërmjet vetingut, të cilin në kundërshtim me Kushtetutën nuk e bëjnë publike, e mbajnë në sirtar fshehtë KLGJ-ja. Ne sigurisht do e bëjmë publike. Qoftë vetë Bajram Limioni. Por edhe Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit jo opinion për kandidaturat, se nuk ka asnjë tagër parlamenti për këtë, siç veproi, por kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit si ligjvënës të përcaktonte qëndrimin ndaj legjislacionit, i cili sa kohë është në fuqi, është në zbatim”. (A2 Televizion)