Para tubimit pro UÇK-së në Tiranë, Presidenti Begaj takon kreun e BDI-së Ali Ahmeti

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 12:25 | Politikë

Para tubimit pro UÇK-së në Tiranë, Presidenti Begaj takon

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zhvilluar këtë të premte një takim me kreun e BDI-së Ali Ahmetin, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në tubimin pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e Ahmetit si një ndër themeluesit e UÇK-së, ndërsa theksoi se tubimi i sotëm krah veteranëve në Tiranë dëshmon mbështetjen unanime të shqiptarëve ndaj luftës së drejtë për çlirimin e Kosovës.  

“UÇK-ja bën krenar çdo shqiptar. Ajo është pjesë thelbësore e historisë sonë, sepse bëri një luftë të drejtë ndaj padrejtësisë shekullore”, vlerësoi Begaj, i cili theksoi se UÇK-ja ka pasur gjithmonë mbështetjen e aleatëve tanë, pasi ka qenë një organizëm çlirues dhe jo okupues.  

Gjatë bisedës me Ahmetin është diskutuar edhe për faktorin shqiptar në rajon. Presidenti Begaj u shpreh për bashkëpunimin mes njëri-tjetrit dhe unitetin për çështjet që lidhen me identitetin kombëtar, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin Euroatlantik të tij.

Kreu i Shtetit garantoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj faktorit politik shqiptar në rajon dhe përpjekjeve për të siguruar ndaj qytetarëve një jetesë sa më të mirë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos