“Propozimi është t’i kërkojmë seancës plenare zgjatjen me 60 ditëtë afatit të hetimit. Pro 4, kundër 5, rrëzohet...”
Komisioni Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS mbylli këtë të premte hetimin 4 mujor parlamentar. Pavarësisht kërkesës së demokratëve për të zgjatur hetimin edhe me 60 ditë, socialistët argumentuan se duhej zbatuar vendimi i seancës plenare dhe kërkuan shkrimin e raporteve që do t’i dorëzohen seancës plenare.
“T’ia paraqesim seancës brenda afatit që Kuvendi na ka përcaktuar. Ne sot nuk negociojmë dot pasi kemi mbyllur planin e hetimit së bashku”, tha Toni Gogu.
“Duhet bërë raporti thoni ju deri në datë 21, se nuk japim dot shtyrje nëse e dini ça u gjen nga dëshmitë”, tha Ervin Salianji.
Kryetari i Komisionit Hetimor, Ervin Saliaji, konstatoi se ekspertët nuk kishin marrë procesverbalet e mbledhjeve të kaluara që janë zhvilluar me dyer të mbyllura.
Ai kërcënoi socialistët se nëse nuk zbatohej ligji dhe ekspertët të njiheshin me të gjitha aktet do të kallëzonte penalisht si deputetët e mazhorancës dhe punonjësit e Kuvendit.
“Do t’i përgjigjemi me kallëzim penal për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, nëse nuk vendosni në dispozicion të ekspertëve procesverbalët”.
Demokratët dhe socialistët ranë dakord që të mblidhen sërish ditën e martë për të votuar dhe raportin e komisionit, ku të dy palët shprehën dëshirën që ky raport të jetë i përbashkët, pavarësisht gjasave të pakta që kjo të ndodhë. (A2 Televizion)