“Toma ia mbathi se do e kapte SPAK”, Doshi i përgjigjet Berishës: O Sali, jam këtu në mes të Tiranës!

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 13:22 | Politikë

“Toma ia mbathi se do e kapte SPAK”, Doshi i përgjigjet

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha  e nisi këtë të premte me një postim në Facebook, ku shkruante se kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi ishte larguar nga Shqipëria.

Sipas Berishës, Doshi ishte urdhëruar që t’ia mbathte pasi kishte mësuar se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti nga SPAK.

“Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur. Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”, shkruan Berisha.

Reagimi i Berishës erdhi tre ditë pasi kreu i PSD u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, 7 muaj pas paraqitjes së tij të parë, ku u pyet për rreth 90 minuta.

Pas postimit të Berishës, Doshi është kundërpërgjigjur me një foto të publikuar në Facebook, ku shihet përkrah djemve të tij dhe dy personave të tjerë.

Përkrah fotos, kreu i PSD shkruan se nuk është larguar dhe ndodhet në qendër të Tiranës, e se nuk frikësohet pasi nuk ka vjedhur shqiptarët.

“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti!”, është kundërpërgjigja e kreut të PSD.

Kujtojmë se në paraqitjen e tij të dytë në SPAK, Doshi qëndroi përreth 50 minuta dhe në dalje tha për mediat se ishte thirrur për një çështje që nuk ka lidhje me të.

"U pyeta për një çështje që nuk kishte lidhje me mua, ashtu siç ka thënë Erjoni: kolegët të thërrasin edhe për çështje që nuk kanë lidhje me ty", deklaroi Doshi me ironi, duke iu referuar ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos