
Ish-kandidati në listën preferenciale të koalicionit ASHM në Qarkun Durrës, Aulon Kalaja, kërkon shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, duke e cilësuar atë si antikushtetues, për shkak se sipas tij kufizojnë të drejtën e kandidatëve për ankim administrativ dhe gjyqësor ndaj vendimeve të KQZ dhe KAS.
Në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Kalaja pretendon se gjatë procesit të numërimit të votave në Qarkun Durrës janë kryer falsifikime dhe manipulime në disa kuti votimi, të kryera nga numërues në bashkëpunim me kandidatë të tjerë, me qëllim rritjen fiktive të rezultateve të tyre.
Ai kërkoi nga KQZ pamjet filmike të procesit, ku sipas tij, evidentoi dhjetëra mospërputhje ndërmjet fletëve të votimit dhe tabelave përmbledhëse.
Kalaja kundërshton vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të mos rinumëruar kutitë e votimit të Durrës.
“Ekskluzivitetin për të parë sesa vota ka marrë kandidati e ka vetëm subjekti politik. Kam qenë në Kolegjin Zgjedhor dhe nuk jam legjitimuar, e kam humbur çështjen me rezultatin 4 me 1. Ka pasur pakicë në çështjen time”, tha Kalaja.
Në një deklaratë për mediat pas depozitimit të ankesës, Kalaja tha se në rast se nuk fiton në Kushtetuese, hapi i radhës do të jetë Gjykata e Strasburgut.
“Jam shumë i bindur që do të fitoj çështjen në Kushtetuese. Ne nuk ia kemi deleguar shpirtin partisë, por jemi të lirë të kërkojmë votat tonë. Hapi i radhës është gjykata e Strasburgut, por mendoj se do ta fitoj këtu. Sigurisht që në Strasburg do ta fitoj”, u shpreh ai.
Ai kërkon që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë vendimin dhe dispozitat kufizuese, duke garantuar barazinë dhe mbrojtjen kushtetuese të të drejtave zgjedhore të kandidatëve individualë. (A2 Televizion)
