"Tropoja i besoi dikujt nga të vetët dhe nuk panë gjë të hajrit", Rama ironizon Berishën nga Kukësi

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 18:00 | Politikë

"Tropoja i besoi dikujt nga të vetët dhe nuk panë gjë

Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët e Kukësit, foli për zhvillimin që ka pësuar Qarku i Kukësit dhe kujtoi vitet e fillimit kur, sipas tij, vinte në qytetet e qarkut dhe ato dukeshin të zymta.

Rama foli edhe për zhvillimin e turizmit në Tropojë vitet e fundit, ku tha se më parë tropojanëve nuk u besohej se do të ndodhte ky zhvillim për faktin se i kishin besuar dikujt nga këto anë që nuk kishte bërë asgjë në vitet e qeverisjes së tij, duke iu referuar Sali Berishës.

“Kur vija në Kukës në ato fillime, Kukësi ishte një territor i zymtë dhe çdo gjë rreth e rrotull të thoshte “largohu”. Sot ky është një qytet tërësisht tjetër dhe dua t’i siguroj banorët e lagjes 1 dhe lagjes 7, se projekti i transformimit të lagjeve do të përfundojë dhe kur të përfundojnë edhe këto dy të tjera. Jam shumë i vëmendshëm për investimet në Kukës, ndaj ua mbaj dhe mend. Ajo që ka më shumë rëndësi që të thuhet sot, është që edhe Kukësi si bashki të hyjë në hartën turistike të Shqipërisë”, tha Rama, shkruan A2.

“Ne sot kemi një zhvillim që as nuk mendohej: zhvillimin turistik të Tropojës. Më kujtohet që kur thoshim që në Tropojë do zhvillojmë turizmin, nuk na besonin sepse për shumë vite i besuan dikujt nga të vetët dhe s’panë asgjë të hajrit. Sot Tropoja është në hartën turistike të Shqipërisë", shtoi Rama. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos