
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka uruar Bekim Sejdiun pas propozimit të emrit të tij në postin e Presidentit të Kosovës. Edhe pse emri i tij nuk ka marrë ende dritën jeshile nga Kuvendi i Kosovës, Berisha vlerësoi figurën e Sejdiut në fushën e jurisprudencës kushtetuese dhe diplomacisë, duke i uruar suksese në detyrën e re.
Ai përshëndeti gjithashtu marrëveshjen mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për përzgjedhjen e Sejdiut.
Postimi i plotë i Berishës
Zoti Bekim Sejdiu, President i Kosovës.
Të dashur miq,
Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje zoti Albin Kurti si dhe z. Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, firmosën marrëveshjen për të zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës zotin Bekim Sejdiu, një personalitet i shquar i Kosovës në fushën e jurisprudencës kushtetuese (ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës) dhe në fushën e diplomacisë (ish-ambasador i Republikës së Kosovës në vende të rëndësishme).
Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i dërgoj urimet më të përzemërta zotit Bekim Sejdiu për postin e lartë te Presidentit të Kosovës. I uroj shumë suksese dhe mbarësi në këtë detyrë të lartë, në realizimin e integrimit të Kosovës në BE e NATO, si dhe në forcimin e kontributit të saj për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal!
Gjithashtu, me këtë rast uroj përzemërsisht Kryeministrin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja, dhe kryetarin e LDK-së, z. Abdixhiku, për marrëveshjen e arritur dhe për përzgjedhjen e tyre dinjitoze në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. (A2 Televizion)