
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e rëndë të zjarrit në Krujë, ku, sipas tij, operacioni i forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore ka përfunduar pa viktima apo banorë të dëmtuar.
Rama bën me dije në një mesazh në "X" se nga zjarri është shkrumbuar vetëm një magazinë, ndërsa vlerëson punën e forcave në terren, të cilat u përballën me flakët në kushte të vështira për shkak të erës dhe pamundësisë për të përdorur gjatë natës mjetet ajrore për shuarjen e zjarrit.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese. Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës: “Zoti Kryeminister! Ju lutem zjarri po merr permasa te medha ne Kruje! Po punojne si heronj Zoti ia shperblefte ...por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri”. (A2 Televizion)