Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama nisi të sulmonte prokurorin e SPAK, Olsi Dado, për të mos bërë përgjegjës kreun e këtij institucioni, Altin Dumani.
“Erion Veliaj u arrestua me firmën e Altin Dumanit dhe Olsi Dados. Por nëse shefi është i detyruar të vërë firmë, firmat e tjera janë formale. Pra firma që e arrestoi është Altin Dumani. Pastaj duhej që Dumani të dilte duarjashtë dhe u morën me Olsi Dadon... I shkruante Rama statuset në Facebook të Erion Veliajn, se me çdo kusht duhej të nxirrej Dumani dorëjashtë e të mos merrte urrejtjen që e arrestoi Lali Vjedhësin, që të mos nxirrte gjë për Edi Ramën”, tha Berisha në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN.
Sipas tij, është Dumani që mbron kryeministrin nga përgjegjësia penale. “Rama ka përulje deri në fund, se po i mbulon krimet. Po dosjen 184, që është Rama? E shkatërroi Dumani! Por rezoluta e fundit e Valencias denoncon drejtësinë e kapur të Edi Ramës dhe denoncon pandëshkueshmërinë e drejtësisë së kapur. Asnjë proces nuk shkon tek Edi Rama për shkak të Altin Dumanit dhe askujt tjetër”. (A2 Televizion)