VIDEO| “Heronjtë e SPAK heshtin për farsën zgjedhore”, Këlliçi: Kemi me qindra video që e faktojnë

Nga A2 CNN
10 Shtator 2025, 20:42 | Politikë

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ripërsëritur akuzat e forta për procesin zgjedhor të 11 majit, duke e cilësuar atë si një farsë të orkestruar nga Partia Socialiste. Në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, Këlliçi tha se PD disponon prova të shumta që faktojnë manipulimet.

“Ka katër muaj që kreu i PD del dhe denoncon njerëz që votojnë tre apo katër herë. Janë publikuar qindra raste me persona që kanë votuar dy ose tre herë, apo fletë të ashtuquajtura ‘të trenit bullgar’. A keni parë ndonjë reagim nga SPAK për këto fakte? Nëse PD gënjen, atëherë nuk ka pasur zgjedhje fare,” deklaroi ai.

Sipas Këlliçit, në shumë qendra votimi janë konstatuar raste ku komisionerët manipulonin procesin, deri edhe duke kontrolluar votat brenda kutive. Ai theksoi se PD ka mbledhur me qindra video, sidomos në periferi të Tiranës, që tregojnë komisionerë duke votuar në vend të qytetarëve apo duke përmbysur kutitë për të kontrolluar fletët e votimit.

Deputeti demokrat shtoi se manipulime masive janë konstatuar edhe me votën e diasporës, ku sipas tij, në zona të caktuara PS ka arritur mbi 90% të votave përmes firmave të falsifikuara.

“Ne do të presim raportin e OSBE-ODIHR dhe më pas në parlament, krahas betejës së përditshme, do të vijojmë të bëjmë transparencë. Provat do t’i bëjmë publike,” tha Këlliçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos