Tomor Alizoti, drejtuesi politik i PD në Qarkun e Elbasanit, deklaroi në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN se përfaqësues të OSBE i kanë pranuar privatisht shqetësimet për shit-blerjen e votës në Shqipëri. “Më kanë thënë: Ne të besojmë. E dimë që situata është keq, por në fund bëjmë vetëm një raport. Nuk mund ta ndalojmë procesin”, tha Alizoti.
Ai shtoi se SPAK duhet të veprojë para zgjedhjeve dhe jo pasi "maskarada" ka ndodhur.
“Nuk mund të përfundojmë gjithmonë nga një teatër në një tjetër. Pushteti po kap çdo institucion, ndërsa opozita përballet me një sistem të mbyllur”, tha ai.
Alizoti theksoi se denoncimet për shit-blerje vote nuk mund të mbeten në letra dhe raportime diplomatike, por duhet të shoqërohen me ndërhyrje reale për të mbrojtur demokracinë. (A2 Televizion)