Në Tiranë po vijon numërimi i votave preferenciale për kandidatët e listës së hapur dhe nga raportimet zyrtare të KQZ rezulton se janë numëruar 139 nga 1282 QV.
Socialistët do të dalin fitues me 19 mandate nga gara për Tiranën, duke futur kështu në Parlamentin e ri plotë shtatë deputetë nga lista e hapur, përveç 12 emrave të listës së mbyllur.
Për këto 7 vende gara duket e ethshme në radhët e së majtës. Përveç Blendi Gonxhes që është shkëputur bindshëm në krye, të gjithë të tjerët pas tij ndahen me shumë pak vota.
Gonxhja ka marrë deri më tani 5483 vota dhe ndiqet nga Fatmir Xhafaj me 2245. Emri surprizë në vendin e tretë është Ornaldo Rakipi, i cili ka parakaluar “veteranin” Erion Braçe. Rakipi ka deri më tani 1592 vota, ndërsa Braçe 1400 vota.
Një vend në shtatëshen e parë e ka aktualisht edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha me 1207 vota, ndërsa Antonela Dedej për momentin ka 1092 vota dhe listën e atyre që mund të hyjnë në Kuvend e plotëson ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj me 577 vota.
Pas tyre në renditje dhe aktualisht jashtë lists fituese janë një grup ish-ministrash të PS, si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Etilda Gjonaj, por edhe deputetë me vite eksperiencë si Xhemal Qefalia, Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Ermonela Felaj dhe Arben Pëllumbi. (A2 Televizion)