Deklarata të forta u bënë mbrëmjen e së martës në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit, ku të ftuar ishin edhe ish-drejtuesi i Policisë, Shemsi Prençi, dhe gazetari Basir Çollaku.
Gjatë debatit për ndikimin e diplomacisë në drejtësinë shqiptare, Çollaku tha se disa ambasadorë dhe diplomatë kanë përfituar prona dhe pasuri në vend. “Ka ambasadorë dhe diplomatë që kanë shkaktuar dëm të madh në drejtësi dhe kanë përfituar ekonomi e prona në Shqipëri. Rasti më i fundit, që është shumë i ndjeshëm, është ai i ambasadores Yuri Kim. Investimi i saj në drejtësinë shqiptare u shndërrua në karrierë dhe ndikim personal,” tha Çollaku.
Pas tij, ish-drejtuesi i Policisë, Shemsi Prençi, hodhi një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj ish-ambasadores amerikane. “Do të dalë me hektarë toke edhe ajo këtu në Shqipëri. Ka për të dalë me tokë në bregdet. Mbajeni mend kur të dalë një parcelë toke në një vend shumë të rëndësishëm të jugut me emrin Yuri Kim. Ka nja dy kartela që janë vetëm me iniciale,” deklaroi Prençi. (A2 Televizion)