Tonet e larta të Edi Ramës në festën e Partisë Socialiste drejtuar Ermal Dredhës duket se nuk ishin pa shkak dhe as të fundit.
Dy javë më pas, Kryeministri Edi Rama zbarkoi në Vlorë në një takim të paparalajmëruar. Me një bllok në dorë, kreu i qeverisë kaloi pragun e bashkisë ku zhvilloi një mbledhje gati 90 minuta me kryetarin Ermal Dredha dhe të gjithë drejtuesit e bashkisë.
Burime për A2CNN, bëjnë me dije se në mbledhjen me dyer të mbyllura, tonet kanë qenë të larta dhe Rama ka fshikulluar Ermal Dredhën, duke e kritikuar për punën në kryer të këtij institucioni.
Nga menaxhimi i sezonit turistik, mungesa e ujit të pijshëm dhe problematika e tjera të shfaqura nga qytetarët e Vlorës kanë qenë pjesë e kritikave të Ramës drejtuar kryebashkiakut.
Numri një i qeverisë nuk u ndal vetëm me kritika, por kërkoi riformatim të të gjithë drejtorive, duke kërkuar largimin e të gjithë drejtorëve aktualë.
Në optikën e Ramës as deputetët e Vlorës nuk kanë bërë punën siç duhet, ndaj kërkoi edhe prej tyre reflektim.
Përveç kërkesave drejtuar bashkisë, Rama kaloi në veprim me reformim të Partisë Socialiste në Vlorë, ku ka komanduar dy drejtues të rinj, Klevis Kason dhe Erjona Ismailin, detyrë që në fushatën elektorale është mbajtuar nga Pirro Vengu dhe Vilma Bello. (A2 Televizion)