Nisja e vitit të ri akademik ka sjellë edhe një herë problematikën e mungesës së interesit të maturantëve për degët e mësuesisë. Një problematikë që vit pas viti thellohet dhe që ka nisur të reflektojë mungesë mësuesish në ciklin e arsimit parauniversitar.
Nisur nga kjo situatë, rektori i Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, dikur një nga furnizuesit kryesorë të jugut të vendit me mësues, sot mezi mban hapur degët e mësuesisë, shkruan A2 CNN. Dhe, sipas rektorit, ky boshllëk nuk mund të zgjidhet nga vetë universitetet.
Nga Korça vjen një tjetër e dhënë: edhe ata studentë që janë të regjistruar në degët e mësuesisë, jo të gjithë mund të dalin mësues, pasi një pjesë nuk e kanë mesataren e kërkuar prej 7.5 e lart.
Nga Universiteti i Durrësit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i ka cilësuar studentët si të ardhmen e kombit dhe ka theksuar se, pavarësisht teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, është dija e secilit prej nesh që na bën qytetarë më të përgjegjshëm.
Ndërsa Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka zgjedhur Universitetin e Shkodrës në këtë fillim të vitit akademik për të dhënë mesazhin se është koha e profilizimit të universiteteve dhe përshtatjes me tregun e punës dhe teknologjinë.
Në përgjithësi, të gjithë universitetet në vend këtë vit akademik kanë shënuar një rritje të lehtë të numrit të studentëve që regjistrohen për herë të parë — një trend që shpresohet të vijojë me shifra më të larta në vazhdim. (A2 Televizion)