Buxheti i shëndetësisë, Sala: Rritje pagash dhe barna për Onkologjikun

Nga Ornela Joti
12 Nëntor 2025, 19:34 | Sociale

Buxheti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të jetë 108.8 miliardë lekë, ose thënë ndryshe sa 3.9% e Prodhimit të Brendshëm. Gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin e Shëndetësisë, minstrja Evis Sala deklaroi rritje financimeve me 4.3 miliardë lekë dhe shtoi se viti 2026 do të nisë me rritjen e pagave për personelin shëndetësor e shtimin e barnave të rimbursueshme.

Ministrja Sala premtoi rimbursim të gjithë barnave antitumorale për të sëmurët që trajtohen në Spitalin Onkologjik, ndërsa renditi disa nga financimet që do të kryhen për herë të parë në shërbimet e QSUT: “Në projektbuxhetin 2026 është përfshirë rimbursimi i të gjithë barnave antitumorale, për të sëmurët që trajtohen në Spitalin Onkologjik, duke shtuar buxhetin për barna me 1.5 miliardë lekë. Për herë të parë, 300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milionë lekë. 350 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit falas, me një vlerë financimi 70 milionë lekë; 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milionë lekë”.

Ministrja foli edhe për financimin e shërbimeve të dhëna me koncesion nga qeveria. Por, me gjithë shifrat e dhëna nga ministrja, opozita deklaroi se shëndetësia nuk ka qenë dhe as është prioritet i qeverisë Rama. Financimi për këtë sektor, sipas kryetarit të komisionit Bardh Spahia, është shumë larg atij në vendet e Bashkimit Europian, madje mbetemi edhe pas Kosovës.

Në 2026, Ministria do të mbështesë financiarisht futjen e vaksinës 9-valente kundër Human Papoloma Virusit edhe tek djemtë e moshës 13 vjeç. Ndërsa mirëqenia sociale dhe ish të përndjekurit politikë do të financohet me 29.3 miliardë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos