Del raporti PISA 2025, gjysma e nxënësve shqiptarë nuk arrijnë nivelet bazë në matematikë dhe lexim

Nga A2 CNN
8 Shtator 2026, 12:07 | Sociale

Del raporti PISA 2025, gjysma e nxënësve shqiptarë nuk

Gjysma e nxënësve shqiptarë nuk arrijnë nivelet bazë në fushat kryesore, matematikë dhe lexim. Këtë tregon raporti i PISA 2025, i publikuar këtë të martë.

Sipas raportit të publikuar nga OECD, nxënësit në Shqipëri kanë rezultate nën mesataren e vendeve të OECD-së në të dy këto fusha, si edhe në shkencë dhe zgjidhjen kompjuterike të problemeve, shkruan a2 CNN.

Rezultati më shqetësues shfaqet në lexim. Vetëm 50% e nxënësve shqiptarë kanë arritur të paktën nivelin 2 të aftësisë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 69%.

Sipas OECD-së, nxënësit që arrijnë nivelin 2 janë në gjendje të identifikojnë idenë kryesore të një teksti me gjatësi mesatare, të gjejnë informacion duke përdorur kritere të përcaktuara dhe të reflektojnë mbi qëllimin dhe formën e një teksti kur udhëzohen në mënyrë të qartë.

Në nivelet më të larta të performancës, situata është edhe më problematike. Pothuajse asnjë nxënës shqiptar nuk ka arritur nivelin 5 ose më lart në lexim, ndërsa mesatarja e OECD-së është 6%. Në këto nivele, nxënësit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë tekste të gjata, të përballen me koncepte abstrakte dhe të dallojnë faktin nga opinioni duke përdorur edhe informacion të nënkuptuar.

Edhe në matematikë rezultatet janë nën mesataren ndërkombëtare. 55% e nxënësve në Shqipëri kanë arritur të paktën nivelin 2, krahasuar me 65% në vendet e OECD-së.

Në këtë nivel, nxënësit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të përfaqësojnë matematikisht situata të thjeshta pa pasur nevojë për udhëzime të drejtpërdrejta, për shembull të krahasojnë distancat në dy rrugë alternative ose të konvertojnë çmime në një monedhë tjetër.

Vetëm 2% e nxënësve shqiptarë kanë arritur nivelet 5 ose 6 në matematikë, kundrejt 8% në OECD. Në këto nivele kërkohet aftësi për të modeluar situata komplekse dhe për të zgjedhur, krahasuar dhe vlerësuar strategji të ndryshme për zgjidhjen e problemeve.

Në shkencë, e cila ishte fusha kryesore e PISA 2025, 61% e nxënësve shqiptarë kanë arritur nivelin 2 ose më lart. Mesatarja e OECD-së është 74%.

Nxënësit në këtë nivel mund të identifikojnë shpjegimin e saktë për fenomene shkencore të njohura dhe, në raste të thjeshta, të përdorin të dhënat për të përcaktuar nëse një përfundim është i vlefshëm.

Ndërkohë, vetëm 1% e nxënësve në Shqipëri konsiderohen performues të nivelit të lartë në shkencë, pasi kanë arritur nivelin 5 ose 6. Mesatarja e OECD-së është 7%.

Raporti i OECD-së vendos edhe një kufizim të rëndësishëm metodologjik për rezultatet e Shqipërisë. Në PISA 2025 nuk u përfshinë shkollat me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm për testimin. Sipas OECD-së, këto shkolla ndryshojnë nga shkollat pjesëmarrëse si në përbërjen socio-ekonomike, ashtu edhe në rezultatet akademike.

Në PISA 2025 morën pjesë mbi 760 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi, duke përfaqësuar rreth 33 milionë 15-vjeçarë në sistemet arsimore pjesëmarrëse.

Në Shqipëri, testimin e përfunduan 5959 nxënës në 160 shkolla. Ata përfaqësojnë rreth 22 800 nxënës 15-vjeçarë, ose rreth 72% të të gjithë popullsisë 15-vjeçare.

PISA vlerëson jo vetëm njohuritë e nxënësve, por edhe aftësinë e tyre për të zgjidhur probleme komplekse, për të menduar në mënyrë kritike dhe për të komunikuar në mënyrë efektive. Në edicionin e vitit 2025, fokusi kryesor ishte shkenca, ndërsa matematika dhe leximi ishin fusha dytësore. Paralelisht u vlerësuan edhe aftësitë për zgjidhjen kompjuterike të problemeve dhe të nxënit e pavarur në një mjedis digjital. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos