Pesticidet te frutat dhe perimet, eksperti i sigurisë ushqimore: Ja kush rrezikon më shumë

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 09:50 | Sociale

Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore, ngriti alarmin për përdorimin e pesticideve në prodhimet shqiptare, të cilat janë bllokuar së fundmi në disa shtete europiane.

I ftuar në emisionin Dita Jonë në A2 CNN, ai tha se fermerët po përdorin kimikate pa standarde për të mbrojtur prodhimet, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

“Është një insekt që prodhuesit e quajnë krah bardha dhe ata bëjnë çmos për të mbrojtur serën. Por edhe në Shqipëri janë ndaluar produkte importi, siç ishin pjeshkat dhe rrushi para pak ditësh. Ata nuk pyesin për standardet, është strategji për të fituar, edhe në dëm të konsumatorëve. Çfarë do të bëjë fermeri? Ujku gjen mjegull dhe bën ç’të dojë”, u shpreh Sokolaj.

Ai paralajmëroi se përdorimi i pesticideve nuk sjell pasoja të menjëhershme, por sëmundje të rënda pas disa vitesh. “Me perime me pesticide, patjetër që për një kohë të gjatë shkakton probleme të mëdha, madje deri tek sëmundjet tumorale. Një produkt shtazor i ndotur të helmon sot dhe e kupton, por pesticidet të sëmurin pas 5 apo 10 vitesh dhe nuk di nga ka ardhur sëmundja. Fëmijët që lindin me leucemi, nëse kanë pasur kontakt me pesticide, 80% e tyre rrezikojnë të humbin jetën vetëm prej tyre”, theksoi eksperti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos