“Kur e kuptova që ishte fëmija im”... Nëna rrëfen mes emocionesh për birësimin: U dashuruam që me fotografinë

Nga A2 CNN
5 Tetor 2025, 19:27 | Sociale

Pas 19 vitesh jetesë në çift, Anjeza Sanço dhe bashkëshorti i saj vendosën që do të bëheshin prindër, duke birësuar. “Të gjithë u mbyllën dhe shumë çifte vendosën të bëhen prindër. Kështu ishte edhe për ne. Kishim 19 vite bashkë, çift. Nuk është se vendosëm për herë të parë, pas 20 vitesh, për t’u bërë prindër. Ka qenë një historik shumë i gjatë”, rrëfen Anjeza për emisionin “Sepse” nga Arestina Skënderi, në A2 CNN. Ajo tregon se një problem i rëndë shëndetësor në fëmijëri ia bëri të pamundur të bëhej nënë në mënyrë natyrale. “Kam pasur një diagnozë tumorale në moshën 10 vjeç. Jam operuar, kam bërë kemio dhe për këtë arsye kam pasur një zhvillim të vonë, në vezore dhe mitër. E dija që do kisha problematikë në lindje natyrale dhe normalisht është diskutuar në çift që në fillimet tona. Edhe e kemi tentuar, direkt në IVF, vetëm një tentativë dhe në momentin që dështoi, e pashë që trupi im u ligështua”.

“Kur e kuptova që ishte fëmija im”... Nëna

Shkak për të nisur procedurat u bë një mikja e saj e cila birësoi në ato momente. “Aty kuptova se edhe në Shqipëri paska birësim. Dokumentet kanë qenë që në vitin 2012, por momenti erdhi në vitin 2020. Ne u dashuruam me fotografinë, që në fillim. Ema sot na ngjan të dyve, tani ka marrë hijen tonë, nuk e kupton njeri. U përputhën, ka lëkurën time të bardhë, kaçurrelat e burrit tim, që sot nuk i ka, por që i ka pasur në rini...”.

“Kur e kuptova që ishte fëmija im”... Nëna

Takimi i parë ishte i vështirë, por Anjeza tregon si ia lehtësuan punën punonjëset e shtëpisë së foshnjës.  “Isha goxha e tensionuar dhe te takimi i parë zgjatesha, po jo aq sa do të duhej. Vajzat e shtëpisë së foshnjës, psikologia, sociologia, direkt më dhanë një tas për ta ushqyer. Dhe doje, s’doje, kishe frikë mos ta prekje, do ta ushqeje. Mu dhanë përgjegjësi dhe aty e kupton që “ky është fëmija im, duhet ta ushqej”. Ishte moment shumë i bukur”.

Fëmija nuk merret direkt në shtëpi. Prindërit e ri shkonin disa orë në ditë për t’u përshtatur më fëmijën. “Ka qenë një moment, dita e tretë, e katërt, që unë i thashë vajzës “hajde te mami” dhe ajo po qante dhe bashkëshorti im, filloi të qante. Ai qante, kjo qante, fillova të qaja edhe unë se e kuptova momentin, që ishte momenti real që ngjitëm. Nuk na ka zgjatur shumë momenti i përshtatjes. Të tre bashkë u bëmë familje”. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos