Kur shtëpitë e foshnjave janë plot, pse nuk birësojmë dot? Emisioni "SEPSE" sjell ekskluzivisht shifrat

Nga Arestina Skënderi
5 Tetor 2025, 18:28 | Sociale

Në kohën e debateve për familjen tradicionale apo për atë me “prindin një” dhe “prindin dy”, një çështje që merr pak ose aspak vëmendje është ajo e fëmijëve të braktisur, në kërkim të një strehe, dhe e çifteve që për shumë arsye nuk mund të gëzojnë një fëmijë.

Imagjinoni dy dritare përballë njëra-tjetrës. Në njërën dritare janë çiftet që, për arsye biologjike, nuk mund të sjellin në jetë një fëmijë, por kanë dëshirën e madhe për të rritur një foshnje dhe për ta quajtur të tyren. Në dritaren tjetër qëndron një fëmijë i braktisur, me sy që kërkojnë dashuri dhe me zemër që ka nevojë për ngrohtësinë e një nëne e një babai.

Birësimi është ura që lidh këto dy botë, ajo që bashkon dhimbjen e mungesës me shpresën e një fillimi të ri. Ai është më shumë se një akt ligjor; është një akt i thellë dashurie që ndryshon jetë, shëron plagë dhe ndërton familje.

Në Shqipëri, birësimi ka shënuar përparim dhe po pranohet gjithnjë e më shumë nga shoqëria.

Megjithatë, sfidat ligjore dhe burokratike mbeten.

Nga viti 2021 deri në vitin 2025, janë kryer 108 birësime. Vetëm për vitin 2023 u realizuan 22 birësime, ndonëse kërkesat kanë qenë 36, përfshirë çiftet brenda dhe jashtë vendit.

Shpesh lind pyetja: pse shtëpitë e foshnjave janë plot, por nuk ka fëmijë për birësim? Arsyeja është se jo çdo fëmijë mund të birësohet. Kjo lejohet vetëm pasi ai shpallet ligjërisht “i braktisur” nga gjykata, e cila fillimisht përpiqet t’ia rikthejë fëmijën familjes biologjike.

Ndërkohë, numri i fëmijëve të braktisur ka rënë nga viti në vit, ndërsa kërkesat për birësim janë rritur.

Aktualisht, në listë pritjeje janë shumë çifte shqiptare. Fatkeqësisht, fëmijët me probleme shëndetësore dhe adoleshentët birësohen rrallë, çiftet e huaja tregohen më pranuese dhe në vitin 2025 u realizuan 5 birësime të tilla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos