Të martën e 18 qershorit, maturantët do të zhvillojnë testin e matematikës, i parafundit nga provimet e maturës shtetërore. Sipas rregullores, në të gjitha qendrat e provimit, teza hapet në orën 10:00 dhe për dy orë e gjysmë gjimnazistët do të duhet t’i japin zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim. 60 pikë përmban i gjithë testi për njohuritë në matematikë.
Para tre ditësh maturantët kanë mësuar rezultatet në Gjuhën e Huaj të cilat ishin më të ulëta se ato të një viti më parë. 952 maturantë rezultuan mbetës, ndërsa pikët maksimale i arritën 119 maturantë nga 380 që ishte numri i ekselentëve në maturën e shkuar.
Tashmë vlerësuesit kanë nisur korrigjimin e provimeve të gjuhës shqipe dhe letërsisë , rezultate që priten të shpallen pas testit të Matematikës. Matura shtetërore do të mbyllet me 24 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje. (A2 Televizion)