“Pazare me jetën e pacientëve, 5 mijë euro operimi”, gazetari zbulon sa i kushton shqiptarëve kimioterapia

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 15:20 | Sociale

Gazetari Osman Stafa në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN ka shprehur shqetësimin për situatën në spitalin Onkologjik, ku sipas tij përveç aferave korruptive, qytetarët zhvaten nga mjekët dhe infermierët për të përfituar shërbimin e kimioterapisë.

Sipas tij kostoja e një kimioterapie është tepër e lartë dhe thuajse rrënon ekonominë e një pacienti.

“Shkon aq shumë saqë i shkatërron ata familjarë. Ta nisa nga 20-30 mijë lekë për vendin atje. 50-100 i merr mjeku, se secili mjek ka pazarin e vetë. Infermieret e kanë 5-10 mijë lekë. Sanitaret nuk i di. Po të flas me përgjegjësi të plotë nuk po tallem. Infermier, mjekë dhe ça janë aty të tjerët, 100 mijë lekë të ikin vetëm me terapinë ditore. Ti do shkosh 11 herë dhe sa herë do shkosh do japësh para. Po pastaj ato medikamentet që ti do blesh për të njëanësuar çështjen e efekteve anësore të kimioterapisë. I shkonte  një gruaje, këtej nga Lezha, 400 mijë lekë në muaj dhe kemp nuk merrte. Mbahej me pensionin e nënës së saj dhe dashamirësinë e farmacistes që i kishte dhënë ilaçe. Shpresë që fëmijë e deri në 60 vjeç e kanë për të ikur në Itali për t’u mjekuar se këtu shpresë nuk kanë. Atë që ka bërë mjekësia italiane, e meritojnë ti bëjmë një bust, sepse kanë marrë shqiptarë dhe i kanë futur në sistem pa të drejtë për t’i ndihmuar se e kuptojnë se çfarë kalojnë pacientët shqiptarë”, zbuloi gazetari në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.

Sipas tij ka një anë të errët të shëndetësisë shqiptare, të cilën Stafa e quajti si “trafikim i pacientëve”. Ai tha se me jetë njerëzish bëhen pazare dhe vendosen çmime që shkojnë nga 5 deri në 8 mije euro për një operacion në Kardiologji apo Spitalin e Traumës.

“Te kardio-kirurgjia ta kërkon mjeku 4-5 mijë euro, se nuk ke shans për të hyrë, se ndryshe do presësh në radhë. Kjo është shumë e shëmtuar. Operacioni kushton kaq, ky mjek e ka pazarin kaq, do apo s’do. Për shembull të ka vajtur dy vite ty radha tek Spitali Traumës për pacientët që duan të vendosin proteza në trup. Ama nëse ti do e zgjidh ndryshe, jep këtej 600-800 mijë lekë atij doktorit dhe e kryen në shtet. Ka dhe forma të tjera ku thonë situata është shumë e keqe dhe hajde më mirë e bëjmë në privat dhe shkon atje 8 mijë euro”, tha gazetari Osman Stafa në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos