"Tetor i zi”, protesta e shoqërisë civile për gjendjen në shërbimin e Onkologjisë

Nga Ornela Joti
21 Tetor 2025, 15:43 | Sociale

“Tetor i zi” e ka cilësuar shoqëria civile muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Përmes një proteste të organizuar para ministrisë së Shëndetësisë aktivistë, gazetarë dhe qytetarë kanë denoncuar mungesën e medikamenteve, kushtet e vështira në Spitalin Onkologjik dhe heshtjen, sipas tyre të qeverisë për ti dhënë zgjidhje problemeve të pacientëve me sëmundje të rënda.

Pjesëmarrës në protestë, qytetarë e familjarë të pacientëve me sëmundje tumorale treguan raste sesi kanë humbur të afërmit, sipas tyre për terapi të pakryera, mungesa ilaçesh, shpenzime për vizita dhe trajtime në privat.

Edhe pse protestuesit kanë qenë të paktë në numër para ministrisë së Shëndetësisë, ata thonë se kauza është e fortë dhe kërkon zgjidhje urgjente nga qeveria.

Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj, nuk ka bërë asnjë reagim ndaj kërkesave që u shtruan në këtë protestë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama mëngjesin e 21 tetorit e ka nisur me një thirrje për gratë, për kryerjen e kontrolleve të gjirit, edhe pse në shërbimin Onkologjik mamografia dhe pajisje të tjera aktualisht nuk punojnë.

Pak ditë më parë edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxori në pah të vërtetat tronditëse nga shërbimi i Onkologjisë për mungesa ilaçesh, kimioterapi të shtyra, mosfunksionim të pajisjeve radiologjike dhe protokolle mjekimi të vjetruara.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos