Shtohen edhe pushuesit nga Serbia, turizmi me bilanc pozitiv

Nga A2 CNN
1 Gusht 2021, 18:32 | Aktualitet
Shtohen edhe pushuesit nga Serbia, turizmi me bilanc pozitiv

Turizmi, ndër sektorët më të goditur nga pandemia Covid-19, vijon të japë shenja të qarta rigjallërimi këtë sezon.

Por, sa larg nivele të para krizës shëndetësore ndodhet aktualisht turizmi veror në vend? “Jemi shumë larg vitit 2019 në të gjitha aspektet, si në të ardhurat financiare, ashtu dhe në numrin e turistëve. Sa i përket rigjallërimit mund të themi se sektori po ngre kokë”, shprehet Feriold Ozuni, operator turistik.

Përveç turizmit patriotik, operatorët theksojnë se pushuesit nga Serbia po shtohen përherë e më shumë, ndërsa nuk mungojnë as ata nga vendet e Bashkimit Europian apo Lindjes së Mesme.

“Na ka bërë çudi interesi i madh i serbëve kundrejt Shqipërisë. Kjo ka ardhur për shkak të çmimeve të volitshme, për shkak të shërbimit. Kërkesa ka pasur nga Izraeli, Rumania, por edhe Franca”, tregon Jetimira Hoxha, operatore turistike.

Trendi pozitiv i ecurisë së turizmit konfirmohet edhe nga numri i udhëtarëve të transportuar nëpërmjet linjave ajrore në 6 muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Instituti i statistikave, në harkun e muajve janar-qershor, u transportuan 756.637 qytetarë nga 554.877 në të njëjtin hark kohor të një viti më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos