
Mario Mariani, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE në Shqipëri, foli në A2 për ndihmën e Bashkimit Evropian për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit në vendin tonë.
Ai theksoi se fillimisht do të nisë investimi në shkollat e dëmtuara dhe më pas në objektet e trashëgimisë kulturore.
“Ne nuk zgjodhëm bashkitë, por zgjodhëm shkollat e dëmtuara, pasi në qendër të kësaj mbështetjeje janë pikërisht shkollat. Ne do të vazhdojmë me shkollat, pasi mendojmë se kjo është një nevojë shumë e rëndësishme. Këtë ne e kemi nxjerrë edhe nga bashkëpunimi që u bë me Bankën Botërore, OKB-në dhe qeverinë e Shqipërisë. Fokusi i punës tonë do të jetë, shkolla më të mirë dhe më shumë shkolla. Më tej, ne do të përqendrohemi edhe te ato objekte që kanë të bëjnë edhe me trashëgiminë kulturore që është dëmtuar. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme për historinë dhe traditat. Trashëgimia kulturore është shumë e rëndësishme edhe për turizmin dhe ekonominë, si rrjedhojë. Ne do të bëjmë një gërshetim të shkollave rurale dhe atyre urbane. Në fokus, do të jenë fillimisht ato shkolla me më shumë nxënës”, tha Mariani.
Më tej, ai foli edhe për monitorimin që do t’u bëhet këtyre fondeve. “Sa i përket monitorimit, ai është tejet i rëndësishëm, pasi flitet për shumë para. Përveç kësaj, BE i premtoi qytetarëve të Shqipërisë se do t’i ndihmonte dhe për këtë arsye duhet të jemi edhe më të rreptë për fondet. Këto janë para që vijnë nga tatimpaguesit e BE-së, janë paratë e qytetarëve të BE-së. Ne i kemi ndarë përgjegjësitë edhe me UNDP, u shpreh Mario Mariani, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE në Shqipëri. (A2 Televizion)