Si është klima për të investuar në Shqipëri? Shkodra rendit kërkesat për qeverinë

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 22:10 | Ekonomi
Si është klima për të investuar në Shqipëri?

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra ishte i ftuar në A2 Business për të folur në lidhje me klimën në të cilën ndodhet biznesi shqiptar dhe sa e mundur është të investosh në këto kushte.

Për Shkodrën, ekonomia shqiptare vjen pas 3 goditjesh të forta, teksa paraqiti problematikat të cilat sipërmarrja dhe qeveria duhet të ulen dhe të zgjidhin në të ardhmen e afërt për ta çliruar biznesin nga disa pengesa.

“Ne vijmë pas 3 goditjeve në ekonomi që nisën me tërmetin, pandeminë dhe më pas vijuam me goditjen nga lufta. Ne jemi të varur nga tregtia ndërkombëtare. Dhe duke pasur këtë disbalancë ne importojmë dhe inflacionin dhe jemi të goditur. Përpara një procesi zgjedhor ne nuk duhet të krijojmë një situatë që mund të keqkuptohet. Ne kemi gjykuar që dialogu ynë të jetë përpara dhe pas zgjedhjeve. Nuk duhet ngatërruar lobimi ynë me diskurset politike. Ne e dimë mirë që partitë politike i nxjerrin jashtë kontekstit. Sipërmarrja po e ndjen goditjen nga konflikti Rusi-Ukrainë. Ne nuk kemi nevojë për dialog informues.

Qeveria të na informojë se çfarë po bën dhe politikat që po bën dhe të jemi pjesë e draftimit të këtyre politikave. Nuk më pëlqeu kryeministri në një forum, ku foli dhe foli gjatë dhe në fund tha unë po iki se duhet të eci përpara ndërsa ju po ju le këtu mbrapa. Ky ka qenë slogani i PS në fushatë, por nuk mund ta përdori për biznesin pasi ai ka qenë shumë më përpara. Ka ardhur koha që ta lehtësojmë nga disa barra sipërmarrjen”, tha mes të tjerash Shkodra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos