
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi personelin shëndetësor për punën e palodhur gjatë pandemisë koronavirus. Kreu i Shtetit vizitoi Klinikën Infektive në Prishtinë, teksa situata vijon të përkeqësohet.
Thaçi i quajti heronj, ata pjesëtarë të personelit mjekësor që luftojnë në vijën e parë kundër Covid-19 dhe nënvizoi se do të jetë pranë tyre për të tejkaluar këtë betejë.
“E di që keni qenë shembull për rajonin dhe më gjerë. Keni marrë veprime shumë të shpejta, të sakta dhe precize. Më vjen mirë qe është një mobilizim i gjithë mjekëve, stafit të mjekësisë këtu dhe gjithashtu edhe në nivel lokal. E kemi biseduar edhe me qeverinë, edhe ministrin e Shëndetësisë, kryeministrin Hoti dhe gjithë të tjerët, të jeni të sigurt që do të keni përkrahjen e gjitha institucioneve në mënyrë që ta tejkaloni sa më lehtë dhe me më pak pasoja”, u shpreh Thaçi.
Drejtuesit e institucioneve shëndetësore treguan për situatën e rëndë, me të cilën po përballen aktualisht.
“Në këto momente kemi diku rreth 600 pacientë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale. Qoftë të dyshuar ose të konfirmuar me infeksionin Covid dhe gjendja shëndetësore e tyre vazhdon të mbetet e rëndë. Kemi mbi 40 pacientë që janë në aparate respiratorë, qoftë të intubuar, qoftë me metoda të tjera, dhe kemi mbi 300 pacientë që po trajtohen me oksigjeno-terapi”, informoi presidentin Valbon Krasniqi, drejtori i shërbimit spitalor të Kosovës.
Rihapja e ekonomisë në Kosovë solli një shtim të rasteve ditore duke përkeqësuar tej mase emergjencën shëndetësore. Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti, riktheu disa nga kufizimet në përpjekje për të frenuar përhapjen, megjithatë ende nuk po jep rezultat. (A2 Televizion)