
Analisti Lutfi Dervishi tha se vendimi i gjykatës për të njohur dhe regjistruar statutin e ri të Partisë Demokratike, të dalë nga kuvendi kombëtar i 11 dhjetorit është si një certifikim i zgjedhjeve primare në PD.
“Nuk është gjykata që të bën parti politike, por janë votuesit”, tha Dervishi në studion e Debat në A2 CNN. “Orientimin e dha 6 marsit. 6 marsi ishin primaret brenda PD. Ky nuk është vendim gjykate është, certifikimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore. Le të supozojmë që apeli e kthen mbrapsht, mendoni se do të rikthehet prapë situata në PD?”.
Sipas analistit Ilir Kalemaj, pavarësisht se palët ishin ndarë më shumë se kurrë, PD nuk pati rrjedhje të madhe votash në raport me 25 prillin. “Po të marrin përqindjet e votave, PD dhe Shtëpia e Lirisë morën 43-44%, i njëjtë me rezultatin e 25 prillit. Po mos harrojmë që një pjesë e demokratëve nuk kanë shkuar të votojnë”, tha Kalemaj. Megjithatë, sipas tij, opozitës i duhet shumë punë për të ardhur në pushtet. “Natyrisht nuk i mjaftojnë PD-së, as Bashës dhe mbështetësit e tij. Duhet bindur elektorati gri në mënyrë që PD të vijë sërish në pushtet”. (A2 Televizion)