Skandali në Spanjë, përveç puthjes presidenti i Federatës bën gjeste të turpshme në tribunë

Nga A2 CNN
22 Gusht 2023, 16:46 | Futboll
Skandali në Spanjë, përveç puthjes presidenti i

Thellohet skandali në Spanjë, pas episodeve në finalen e Botërorit të femrave, të fituar përballë Anglisë. Gjithçka nisi nga veprimi i papritur i presidentit të Federatës Spanjolle, që gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve puthi në buzë futbollisten Hermoso.

Pas atij veprimi Luis Rubiales përfundoi në qendër të akuzave dhe madje ndaj tij ka nisur zyrtarisht hetimi për “ngacmim seksual”, pas denoncimit të bërë nga shoqata e trajnerëve.

Por, sikur vetëm kjo të mos mjaftonte, presidenti i federatës iberike është nën akuzë edhe për gjeste të turpshme. Imazhet e publikuara gjatë festimeve të tij në tribunë, menjëherë pasi Spanja u kurorëzua kampione e botës nuk lënë vend për interpretim.

Luis Rubiales praktikisht humbi kontrollin, duke bërë veprime të papranueshme që janë dënuar nga të gjithë.

Nëse për puthjen e futbollistes së Barcelonës, Hermoso, kreu i futbollit spanjoll kërkoi ndjesë nëpërmjet një video të postuar në faqen zyrtare të federatës, për episodin e dytë realisht duket se nuk ka asnjë justifikim.

Sjelljet e Luis Rubiales nxitën edhe reagimin e autoriteteve, ndërsa opinioni publik kërkon largimin e tij nga detyra. Në situatën e krijuar, presidenti i federatës nuk mori pjesë në festimet e skuadrës në Madrid dhe tashmë duket se po përgatit dorëheqjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos