
Fermerët që do të marrin pjesë në skemën e karburantit do të monitorohen për kryerjen e punës. Për ata që kapen në shkelje, pritet të aplikohen penalitete me përjashtimin e tyre deri në 3 vjet nga kjo skemë.
Nëpërmjet kontrolleve në terren dhe imazheve termike nga fotografitë ajrore, Ministria e Bujqësisë synon të sigurohet që nafta do të shkojë vërtetë për nevojat e bujqësisë. Të dhënat do të mblidhen në një platformë onlinë që do të shërbejë si një databazë me të dhëna për shpërndarjen gjeografike, madhësinë e fermeva dhe tipologjitë e kulturave.
Teksa kanë nisur aplikimet për skemën, ditët në vijim, qeveria pritet të shpallë fituesin e tenderit për blerjen dhe shpërndarjen e karburantit falas. Fondi limit për këtë procedurë është 6.4 milionë euro.
Operatori fitues do t’i pajisë fermerët me karta elektronike, me të cilat do të mund të furnizohet në pikat e karburantit, së paku një për çdo bashki të vendit. Këto stacione do të operojnë 24 orë dhe do të raportojnë çdo ditë për sasinë e tërhequr nga fermerët. (A2 Televizion)