Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Vesel Krasniqi, së bashku me drejtues të pushtetit lokal të dy vendeve zhvilluan një takim në plazhin e Shëngjinit, ku kryefjala ishte slogani “Pusho shqip” në këtë sezon të vështirë për shkak edhe të pandemisë botërore nga koronavirusi.
Në kushtet kur shqiptarët përfshirë edhe ato në Kosovë nuk mund të lëvizin për shkak të refuzimit nga BE si masë ndaj përhapjes së Covidit-19, ministri Klosi ka ftuar popullin e Kosovës që të shfrytëzojë pasurinë e përbashkët që kanë shqiptarët, detin Adriatik dhe Jonin.
“Të ndajmë edhe këtë pasuri e madhe kombëtare që është turizmi. Në të dy anët e bjeshkëve jetojnë shqiptarë që këtë det, Adriatikun dhe Jonin, e kanë detin e tyre” deklaroi Klosi.

Ndërkohë edhe ministri i Tregtisë së Industrisë së Kosovës ka ftuar qytetarët e tij që këtë vit t’i kalojnë pushimet në Shqipëri, duke ndihmuar në këtë mënyrë ekonomitë e dy vendeve.
“Ne ndihemi si në shtëpinë tonë, dhe jemi në shtëpinë tonë. Nuk kemi nevojë të hulumtojmë pushime në vende të tjera, jemi një komb dhe kulturë, dhe mikpritje ndaj kosovareve që i bëhet kosovarëve këtu nuk i bëhet askund tjetër”, shtoi ministri kosovar.
Ministri i Kosovës ka ftuar gjithashtu shqiptarët e Shqipërisë që në periudhën e dimrit të zgjedhin pikat turistike dimërore të Kosovës për të kaluar pushimet e tyre. (A2 Televizion)