
Pesë vjet më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për sinjalizimin me qëllim denoncimin e rasteve të korrupsionit në institucionet publike. Por ky ligj duket se nuk ka funksionuar pasi administrata deri tani nuk ka preferuar të tregojë raste të dyshimta korruptive brenda vetes.
Spiunimi i kolegëve të korruptuar brenda administratës, nga praktikë korridoresh në institucionet publike, u zyrtarizua me ligj pesë vjet më parë. Pritshmëritë ishin të mëdha, në emër të luftës kundër korrupsionit, por praktika rezultoi ndryshe.
Ky është konstatimi i dalë nga raporti vjetor i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Drejtuesja e institucionit, Evgjeni Bashari raportoi para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ku vëmendja e deputetëve ndaloi kryesisht te ligji i sinjalizuesve që në zhargon, njihen si spiunët në administratë publike.
Vasilika Hysi: Ka rezultat që rastet e zbatimit të këtij ligji nuk janë ato që priteshin kur ky ligj është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Arsyet janë me mentalitetin apo ju vlerësoni që ky ligj ka nevojë të përmirësohet?
Evgjeni Bashari: Fakti që numri mbetet ende i ulët i sinjalizimeve, mund të vijë si rrjedhojë e kulturës që ne kemi për të mosadresuar çështjet ose dyshimet që mund të ketë në vendin e punës në lidhje me aktet e korrupsionit.
Drejtuesi i Komisionit të Ligjeve ka një qasje tjetër se përse në administratë publike nuk sinjalizohen rastet e korrupsionit.
Ulsi Manja: Atë që për 50 vjet e bëmë pa ligj, tentuam ta formalizojmë përmes ligjit. Ligji këtë radhë ka bërë efektin e kundërt. Po të mos ishte ligji do të kishim pasur më shumë raste korruptive brenda institucioneve sepse për atë ia kanë marr dorën shqiptarët.
Deri më tani janë rreth 600 njësi sinjalizimi në institucionet publike të cilat janë të ngarkuar me ligj për të sinjalizuar rastet e korrupsionit, por për të disatin vit radhazi, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive paraqet një raport bosh sa i takon punës së tyre. (A2 Televizion)