Ministria e Shëndetësisë u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen për të parandaluar problematikat stinore. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Ministria thekson se janë 280 mijë doza të disponueshme për të moshuarit dhe të rinjtë.
“Vaksina shpëton jetë. Mbroni veten, familjen dhe ata që doni. Vaksinimi falas, i sigurt dhe i certifikuar, vijon në të gjitha qendrat e vaksinimit në mbarë Shqipërinë. 280 mijë doza të disponueshme. Nga të moshuarit tek të rinjtë, çdo vaksinë është një hap më pranë një jete më të shëndetshme. Pyesni mjekun e familjes ose vizitoni Qendrën tuaj Shëndetësore për më shumë informacion. Për ju, me ju – me kujdes, me zemër, çdo ditë!”, njofton ministria.
Sipas mjekëve personeli shëndetësor, fëmijët dhe personat mbi 50 vjeç duhet të kryejnë vaksinimin.
“Në vjeshtë fillojnë problematikat stinore, mosha mbi 50-60 vjeç dhe të sëmurët me probleme të tjera është mirë të vaksinohen se kjo do t’i ndihmonte nga një komplikacion i rëndë. Personeli mjekësor duhet të jetë i mbrojtur nga këto viruse. Sugjerojmë të vaksinohen fëmijët dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese”, apelojnë mjekët. (A2 Televizion)