Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot në një takim kolegun gjerman Michael Roth, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Shqipëri.
Xhaçka vlerësoi qëndrimin dhe angazhimin e Berlinit zyrtar, jo vetëm gjatë presidencës së BE-së, por edhe më pas, për arritjen e një konsensusi në gjirin e BE-së mbi miratimin sa më të shpejtë të Kuadrit Negociues dhe zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, dhe se vizita e ministrit Roth është një tjetër sinjal i qartë i këtij angazhimi.
“Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë. Gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur, edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse shikoni se sa punë është bërë që nga vendimi i Këshillit të Marsit 2020, pavarësisht nga fakti se 15 muajt e fundit kanë qenë ndër më të vështirat në historinë tonë, ju e kuptoni se sa të përkushtuar dhe të përgjegjshëm jemi ndaj procesit të integrimit”, tha ministrja Xhaçka gjatë takimit dypalësh.
Nga ana e tij, Roth ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të objektivit për mbajtjen e Konferencës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke shprehur vullnetin që kjo të ndodhë brenda presidencës portugeze të BE-së.
Sa i përket ngërçit bullgar, ai theksoi se BE-ja është angazhuar “për të sheshuar sa më shpejt të gjitha mosmarrëveshjet ekzistuese” midis Shkupit dhe Sofjes. (A2 Televizion)