
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një komunikim me gazetarët pas takimit me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth, deklaroi se e informoi atë “mbi zhvillimet dramatike dhe masakrën zgjedhore të 25 prillit”, duke shtuar se “Shqipëria humbi një mundësi të artë për të ecur përpara me procesin e integrimit evropian të vendit”.
“E informova mbi zhvillimet dramatike dhe masakrën zgjedhore të 25 prillit. Shqipëria humbi një mundësi të artë për të ecur përpara me procesin e integrimit evropian të vendit. Për mua, nuk ka mundësi më të mirë për të ndryshuar vendin sesa procesi i integrimit, që bazohet në arritje dhe merita. Për fat të keq, në këto zhvillime, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite nga mosarritja e kushteve të vendosura, që janë rënduar me zhvillimet e 25 prillit. Opozita ka bërë gjithçka ka pasur në dorë, me konsensusin për Reformën në Drejtësi dhe për Reformën Zgjedhore. Për fat të keq, qeveria i shkeli me këmbë të dyja”, tha Basha.
Ndërsa ministri Roth ftoi që qeveria dhe opozita të gjejnë një gjuhë konstruktive.
“Ne i besojmë vlerësimeve të ODIHR-it, që na tregon mbi vlerësimin e proceseve zgjedhore. Unë jam dakord me zotin Basha kur thotë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Nëse kjo rrugë do të jetë e suksesshme, kjo nuk varet vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita dhe Parlamenti. Unë uroj që të gjendet një ton konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Në një sistem demokratik, Parlamenti është vendi më i duhur për të çuar përpara debatet. Komisioni Evropian ka vlerësuar në mënyrë të kujdesshme përmbushjen e kushteve për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe ka dalë në përfundim pozitiv lidhur me këtë. Shpresojmë që më 22 qershor, Këshilli të vendosë çeljen e negociatave të anëtarësimit. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë. Çelja e negociatave nuk do të thotë se janë përmbushur të gjitha kushtet”, deklaroi Roth. (A2 Televizion)