Prej moshës 9-vjeçare e deri më sot, Jorgo Nita ruan bagëtitë e tij në fshatin Zagori të Gjirokastrës. Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, çobani 15-vjeçar rrëfeu eksperiencën e tij nga zgjimi i mëngjesit, shkolla dhe kullotja e 750 krerëve bagëti.
“Kam 750 krerë bagëti. U rri vetë nga pas bagëtive. Kemi trashëgimi që nga stërgjyshi. Me bagëti kam vajtur që në moshën 9-vjecare dhe shkoj akoma. Bagëtitë të hyjnë në qejf të bëjnë për vete. çohem që në 6 të mëngjesit që mbledhin. Të shtunën dhe të dielën shkoj gjithë ditën me bagëti”.
Adoleshenti pohon në A2 CNN dramën e largimit të të rinjve nga fshati, ndërsa ëndrra e tij është të bëhet një elektricist, por pa u larguar nga vendlindja.
“Mirë jam me mësime se nuk ka më të rinj fshati se neve ngelëm, duhet të mësojmë një zanat. Në fshatin tim janë shumë pak të rinj 10 veta. Qejfi ma ka të bëhem elektricist. Nuk ndahem nga fshati më kanë bërë për vete këto bagëti. Mesataren e kam 7-8, ndonjëherë me mik edhe 9”.
Ai thotë se në fillimet e veta i kanë humbur bagëti dhe nuk mërzitet nga komentet e bashkëmoshatarëve në rrjetet sociale.
“Në fillim më kanë humbur dhe bagëtitë. Në fillim nuk bëja asgjë. Tani kam përgjegjësitë e mia. Po më pëlqen të shkoj me bagëti. Nuk më mërzisin komentet kur më thonë; je çoban me dhen. Kam edhe 10 qen. Shkoj me bagëti kur jam pushim nga mëngjesi në darkë, ndërsa kur jam në shkollë shkoj pas mësimit”.
(A2 Televizion)