Ditmar Bicaj, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” në A2 CNN, deklaroi se nuk i pëlqeu reagimi i Elseid Hysajt në rrjetet sociale, pasi u “kryqëzua” për humbjen ndaj Italisë, në ndeshjen e parë të grupit të “Euro 2024”.
“Nuk është normale dalja në rrjetet sociale me këto deklarata, pasi nuk ka vrarë njeri. Ai djali (Hysaj) ka mbi 80 ndeshje me Kombëtaren. I mirë apo i keq është i joni, prandaj duhet ta mbështesim dhe të mos gjejmë kot armiq. Duhet t’i mbështesim lojtarët, pasi na kanë dhuruar emocione të jashtëzakonshme. Futbolli ky është, fituesi ka shumë baballarë, ndërsa humbësi mbetet jetim. Hysaj nuk ka pasur faj, por deklarata e tij ku kërkoi falje nuk më ka pëlqyer. Kanë qenë 48 orë jo të lehta për të, por u nxitua me reagimin”, deklaroi Bicaj.
Në lidhje me ndeshjen e radhës, atë ndaj Kroacisë, Bicaj u shpreh: “Kroatët janë më ekspertë se ne, kanë shkuar në gjysmëfinale dhe finale. Megjithatë, ne kemi treguar që dimë të reagojmë, kështu që mendoj se do të reagojmë, pasi kundërshtari është pak i “plagosur”. Ne në Shqipëri kemi shumë “specialistë” futbolli, që tregojnë skemat, por kjo është detyrë e Sylvinhos. Mendoj që gabimet me Italinë në aspektin difensiv duhen korrigjuar, pasi kushtojnë shumë shtrenjtë”.
Sipas tij, dy janë lojtarët nga të cilët pret më shumë në sfidën ndaj Modric me shokë: “Pres shumë nga Kristjan Asllani, pres të furnizojë Armando Brojën, talentin më të madh të këtyre 30 viteve të fundit. Pres edhe më shumë nga Strakosha. Ndërsa jam i kënaqur shumë me Djimsitin”. (A2 Televizion)