LIVE Kroaci-Shqipëri 2-2: Gjasula shlyen gabimin, barazon në shtesë!

Nga A2 CNN
19 Qershor 2024, 15:01 | Live Euro 2024

Shqipëria arriti të merrte një barazim historik kundër Kroacisë, 2-2. Qazim Laçi ngriti peshë gjithë stadiumin dhe jo vetëm, kur realizoi me kokë golin e epërsisë në pjesën e parë, por në pjesën e dytë, në harkun e pak minutave, siç ndodhi në përballjen kundër Italisë, kuqezinjtë pësuan dy gola, që përmbysën rezultatin në favor të Kroacisë.

Fillimisht Kramariç dhe pastaj Gjasula me autogol, u duk sikur i dhanë fitoren Kroacisë. Por në minutat shtesë, Klaus Gjasula realizoi një supergol nga brenda zonës, duke barazuar rezultatin dhe duke shlyer gabimin te goli i dytë, që ishte autogol i tij.

Shqipëria merr kështu një pikë tepër vendimtare dhe shkon në ndeshjen e fundit kundër Spanjës, me shpresën për një tjetër rezultat pozitiv. Ndeshja e fundit luhet të hënën në orën 21:00.

Momentet kyçe të ndeshjes

16:53 - Klaus Gjasula realizon një supergol nga brenda zonës, duke barazuar rezultatin. Kroaci-Shqipëri 2-2.

16:50 - Arbër Hoxha bën një zbritje fantastike në krahun e majtë, por fillimisht Seferi e më pas Daku, humbin një rast të artë për të barazuar.

16:34 - E pabesueshme, Kroacia përmbys rezultatin, tani jemi në 2-1. Hutim total në zonë dhe një top i gjuajtur nga kroatët përplaset mes Gjimshitit e Gjasulës e përfundon në rrjetë.

16:31 - Barazon Kroacia! Kramariç lihet i vetëm në zonë dhe godet lehtësisht në portë.

16:08 - Kroacia i shkon shumë pranë golit të barazimit, pasi Luka Sucic goditi fort nga brenda zonës, por Thomas Strakosha realizoi një pritje të shkëlqyer, duke ia mohuar. 0-1 për Shqipërinë.

15:45 - Mbyllet pjesa e parë e sfidës, me Shqipërinë në epërsi pas golit të Qazim Laçit. Shqipëria arriti të përballojë mesfushën teknike të Kroacisë dhe në disa raste rrezikoi edhe në sulm, për të shënuar më tepër. 45 minuta larg fitores historike!

15:30 - Asllani humb një mundësi të artë për të dyfishuar avantazhin, pasi i vetëm përballë portierit Livakovic, nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Rasti u krijua pasi Luka Modriç humbi një top në mesfushë dhe lojtarët e Kombëtares organizuan kundërsulmin.

15:11 - Shqipëria kalon në epërsi me një gol fantastik të realizuar nga Qazim Laçi. Një krosim fantastik nga Asani në zonë u devijua saktë nga mesfushori. 1-0 për Shqipërinë.

15:00 - Ka nisur ndeshja e shumëpritur Kroaci-Shqipëri, e dyta në grup për Kombëtaren tonë në Euro 2024. Pas humbjes me Italinë, kuqezinjtë kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

Formacioni i Shqipërisë: Strakosha; Hysaj, Gjimshiti Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, Manaj, Bajrami. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos