UEFA gjobë të majme Kroacisë para ndeshjes me Shqipërinë

Nga A2 CNN
19 Qershor 2024, 12:29 | Live Euro 2024

UEFA gjobë të majme Kroacisë para ndeshjes me

Në Volksparkstadion të Hamburgut, Shqipëria dhe Kroacia do të luajnë fatet e këtij Europiani, duke kërkuar një fitore që do t’i mbante në lojë për kualifikimin në fazën e 1/8.

Por kur mbeten edhe 3 orë e gjysmë nga starti i sfidës, Kroacia ka marrë një goditje, pasi UEFA ka dënuar me një gjobë të majme Federatën për shkak të sjelljes së një pjese të tifozëve në ndeshjen e parë përballë Spanjës.

Federata Kroate është gjobitur me 63.875 euro për hedhjen e gotave plastike nga tifozët dhe 24.000 euro për ndezjen e flakadanëve, pra në total 87.875 euro.

Shefi i sigurisë së kombëtares, Jurica Jurjeviç, ka komentuar vendimin e UEFAS-s për televizionin N1 duke thënë: “Sot kemi marrë një gjobë nga UEFA për sjellje të paligjshme. Futbolli shkakton emocione dhe është i vështirë për t'u kontrolluar, më e rëndësishmja është se nuk ka pasur incidente të mëdha. Hedhja e gotave dhe flakadanët janë problemi më i madh për momentin. Në Hamburg po bie shi, kështu që siç thonë duhet të lagesh pak”.

Gjasat sipas mediave kroate janë që Federata ta apelojë vendimin e UEFA-s. Kujtojmë se edhe Federata Shqiptare e Futbollit u gjobit nga UEFA një ditë më parë me 37,375 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së parë në grup ndaj Italisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos