64 klube, 3 kategori… Ja si do të jetë Superliga

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2023, 13:52 | Futboll

64 klube, 3 kategori… Ja si do të jetë Superliga

Pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Superliga ka rimarrë jetë.

A22, kompania pas kompeticionit të ri në futboll, bën me dije se do të jetë “një sistem i hapur me promovime dhe rënie nga kategoria”.

“Do të luhet në dy faza: kampionat dhe fazë finale. Propozimi ynë bazohet në meritat sportive dhe siguron qarkullim midis ligave të ndryshme. Ndeshjet do të luhen në mesjavë dhe Superliga do të integrohet në mënyrë të përsosur me kampionatet kombëtare”, thuhet në videon e publikuar në faqen zyrtare të A22.

Superliga do të ketë 64 skuadra, të ndara në tri liga: Star, Golden dhe Blue. Në ligën e parë dhe të dytë, Star dhe Golden, do të jenë 16 klube të ndara në dy grupe me nga 8 skuadra; në të fundit, Blue, do të jenë katër grupe me tetë skuadra, me gjithsej 32 klube.

Pjesa e parë e Superligës do të zhvillohet nga shtatori deri në prill, me ndeshjet e kthimit ndërmjet skuadrave nga e njëjta ligë: pra 14 ndeshje për çdo ekip. Më pas do të jenë fazat finale të tri ligave, të cilat do të zhvillohen ndaras, duke filluar nga çerekfinalet: kualifikohen katër më të mirat e të dy grupeve të Ligës Star dhe katër më të mirat e Ligës Golden. Në fund, kualifikohen dy më të mirat nga secili grup i Ligës Blue.

Çerekfinalet dhe gjysmëfinalet do të luhen me formatin vajtje-ardhje, ndërsa finalja do të jetë një ndeshje teke, që do të luhet në një fushë neutrale.

Kështu, do të shpallen tre kampionë: kampionët e Ligës Star, Ligës Golden dhe Ligës Blue. Dy të fundit të Ligës Stars do të zbresin në Ligën Golden dhe dy të parat e Ligës Golden do të promovohen në Ligën Stars. E njëjta gjë vlen edhe për rënien dhe zbritjen nga këto dy liga.

Çdo vit, 20 nga 32 skuadrat e Ligës Blue do të largohen nga Superliga dhe do të zëvendësohen nga njëzet skuadra, të zgjedhura në bazë të rezultateve të marra në kampionatet kombëtare.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos