Gjithçka do të vendoset në Santiago Bernabeu. Klasikja e futbollit europian dhuroi gjithçka në fushë, por në përfundim të 90 minutave nuk kishte një fitues.
Bayern barazoi 2-2 ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League. Emocione të mëdha në “Allianz Arena” me dy skuadrat që provuan me çdo tentativë të fitonin, por nuk ja dolën.
Fillimi ishte më i mirë për gjermanët që e nisën fuqishëm, por spanjollët kaluan në avantazh me mundësinë e parë në minutën e 24′, kur Kroos dërgoi Vinicius në portë, me brazilianin zhbllokoi rezultatin.
Në fraksionin e dytë, bavarezët shtuan presionin në fushë dhe në harkun e katër minutave, përmbysën rezultatin. Sané gjeti golin e barazimit dhe më pas Kane nga penalltia çuan shifrat në 2-1.
Deri në fund, gjermanët nuk e menaxhuan siç duhet lojën. Kim rrëzoi Rodrygo në zonë dhe gjyqtari drejtoi gishtin nga penalltia. Aty Vinicius nuk fali dhe vendosi sërish baraspeshën në fushë.
Kualifikimi do të vendoset pas një jave, në ndeshjen e kthimit në Madrid, aty ku vetëm një nga skuadrat do të marrë një biletë për në finalen e Uemblit. (A2 Televizion)