Akuza për racizëm ndaj Vinicius, Benfica sfidon vendimin e UEFA-s, por lojtari rrezikon dënim të rëndë

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2026, 12:18 | Futboll

Akuza për racizëm ndaj Vinicius, Benfica sfidon vendimin e UEFA-s, por

Klubi portugez Benfica ka reaguar me qëndrim sfidues ndaj vendimit të UEFA-s për pezullimin e përkohshëm të futbollistit Gianluca Prestianni, pas akuzave për racizëm ndaj yllit të Real Madrid-it, Vinícius Júnior.

Ngjarja lidhet me ndeshjen e javës së kaluar në UEFA Champions League, ku Vinícius shënoi golin vendimtar në Lisbonë dhe më pas festoi në një mënyrë që agravoi tifozerinë kundërshtare.  Pas përfundimit të takimit, Prestianni u akuzua se kishte përdorur një shprehje raciste ndaj brazilianit, çka solli reagimin e menjëhershëm të UEFA-s.

Megjithatë, Benfica ka konfirmuar se do të apelojë vendimin dhe e konsideron ndëshkimin të pajustifikuar. Presidenti i klubit, Rui Costa, deklaroi se “asgjë nuk është provuar” dhe se lojtari po etiketohet padrejtësisht si racist. Në shenjë mbështetjeje, skuadra udhëtoi drejt Madridit së bashku me Prestianni-n, i cili madje u prit me ovacione nga tifozët në aeroportin e Lisbonës.

Vetë futbollisti ka mohuar akuzat për racizëm, duke pretenduar para hetuesve se kishte përdorur një fyerje homofobike dhe jo raciste, një deklaratë që ka shtuar edhe më shumë polemikat. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim deri në 10 ndeshje.

Incidenti u raportua menjëherë te gjyqtari François Letexier nga Vinícius, ndërsa shokët e skuadrës si Kylian Mbappé dhe Trent Alexander-Arnold dolën në mbështetje të tij. Ndërkohë, trajneri i Benficas, José Mourinho, mori kritika pasi tha se festimi i Vinícius kishte provokuar tifozët.

Tensionet mbeten të larta para ndeshjes së kthimit në Madrid, ndërsa Mourinho nuk do të dalë në konferencë për shtyp për shkak të një kartoni të kuq, të marrë në ndeshjen e pare të play-off-it kundër ekipit madrilen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos