Orges Shehi është trajneri më i ri i Tiranës. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë faqja e klubit bardheblu që me anë të një postimi njoftoi tifozët për arritjen e marrëveshjes. Emri i Orges Shehit në kampin bardheblu, kishte që pas humbjes në derbi që diskutohej por duket se disfata e fundit në shtëpi ndaj Teutës i dha dhe goditjen finale aventurës së Ardian Nuhiut te kryeqytetasit.
Orges Shehi e njeh mjaft mirë ambientin dhe mbetet një figurë e vlerësuar nga drejtuesit dhe vetë tifozët. Në sezonin 2021-2022 ai arriti të shpallë ekipin kampion ndërsa një vit më pas fitoi dhe Kupën e Shqipërisë duke lënë firmën e tij në sukseset që bardheblutë kanë regjistruar në vitet e fundit.
Përveç dy trofeve të fituar, 46-vjeçari mbetet trajneri më jetëgjatë te Tirana, duke drejtuar skuadrën për dy vite e nëntë muaj.
Sezoni aktual nuk i ka gjetur mirë bardhe blutë. Në kampin e kryeqytetasve nuk ka më tolerime dhe përveç fitores dhe pse ne fundjave i pret një ndeshje e vështire ne klasiken e futbolli shqiptar. Prej javësh Tirana është afër zonës së ftohtë dhe objektivi i klubit mbetet një dhe i vetëm: Qëndrimi me çdo kusht në elitën e futbollit shqiptar. Aktualisht kryeqytetasit janë në kuotën e 21 pikëve në vendin e parafundit në tabelë, një më shumë sesa Flamurtari dhe dy pikë larg Bylisit të vendit të tetë. (A2 Televizion)