Një ditë e errët për Bayern Munich dhe komunitetin e futbollit në përgjithësi, pasi këtë të premte portieri rezervë i bavarezëve, Sven Ulreich, njoftoi në një postim në Instagram se djali i tij 6-vjeçar, Len, ka ndërruar jetë.
Portieri 36-vjeçar bavarez, i cili ka qenë me klubin që nga viti 2015 njoftoi se Leni i vogël ndërroi jetë disa javë më parë, duke humbur betejën me një sëmundje të rëndë, të cilën nuk e përmendi.
Në tekstin që ka postuar, ai shprehet se së bashku me gruan dhe vajzën e tij, po përpiqen ti rikthehen normalitetit, ndërsa i kërkoi publikut dhe medias të respektojnë këtë periudhë të vështirë dhe të mos e çojnë më tej çështjen.
Mesazhi nga Ulreich dhe gruaja e tij:
"Me trishtim të thellë dëshirojmë t'ju njoftojmë sot se djali ynë Len ndërroi jetë disa javë më parë, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Vendimi për ta bërë këtë publike është tepër i vështirë për ne, por është një hap i rëndësishëm për ne si familje, në mënyrë që të krijojmë qartësi si për mjedisin përreth ashtu edhe për publikun e gjerë. Së bashku me vajzën tonë, tani po përpiqemi, hap pas hapi, të kthehemi në jetën e përditshme.
Një falënderim i veçantë shkon për familjet, miqtë dhe Bayern Munich për diskrecionin dhe mbështetjen e tyre të madhe gjatë muajve të fundit, kjo do të thotë shumë për ne.
I kërkojmë publikut dhe medias të tregojnë mirëkuptim dhe respekt për privatësinë tonë. Ju lutemi me mirësi të mos bëni pyetje ose kërkesa të mëtejshme për deklarata.
Lisa & Sven" (A2 Televizion)