Ditmar Bicaj, i ftuar në studion e “Mega Sport” nga Altin Sulçe, në A2CNN, deklaroi se pavarësisht shpërthimit që ka pasur te Trabzonsporti, Ernest Muçi nuk do të luajë si titullar me Kombëtaren në ndeshjen e “playoff”-it të Botërorit ndaj Polonisë.
“Muçi është lojtar klasi, fantastik. Kam parë që ka bërë një hap galopant edhe në lojën pa top, në pjesën e fizikut. Muçi i Trabzonsporit është komplet tjetër gjë nga Muçi i mëparshëm, për këtë të jeni të sigurt”, tha Bicaj.
“Por, po iu them diçka, mbajeni shënim këtë nga mua. Trajnerët janë pak të çuditshëm, nuk ndryshojnë asgjë. Unë e di saktë se Sylvinho nuk ka për të ndryshuar asgjë në formacion, Brojën e keni nga krahu i djathtë, të gjithë të tjerët siç jemi mësuar. E vetmja dilemë në kokën e Sylvinhos do të jetë Arbër Hoxha apo Myrto Uzuni nga krahu i majtë. Kjo do të jetë dilema e madhe e tij pas asaj ndeshjeje me Serbinë. Muçit i jap vetëm 15% shans të luajë titullar kundër Polonisë”, tha Bicaj. (A2 Televizion)