Armando Broja është shumë pranë kalimit përfundimtar te skuadra e Burnley, pasi klubi anglez ka arritur një marrëveshje me Chelsea-n për shërbimet e tij. Lajmi është raportuar nga gazetarët e njohur Fabrice Hawkins dhe Fabrizio Romano, shkruan A2 CNN. 22-vjeçari pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore ditën e shtunë, si hapi i fundit për zyrtarizimin e transferimit.
Ky zhvillim vjen pas disa viteve të vështira për Brojën, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në karrierën e tij. Fillimisht, një këputje e tendinës së Akilit e mbajti jashtë fushave për një periudhë të gjatë, ndërsa, sapo ishte rikthyer, një tjetër dëmtim i rëndë në kyçin e këmbës i ndërpreu sërish ecurinë.
Gjatë sezoneve të fundit, Broja është huazuar në disa skuadra të Premier League, si Southampton, Fulham dhe Everton. Performanca më premtuese e tij mbetet ajo me Southamptonin gjatë sezonit 2021-22, ku tregoi cilësi dhe potencial. Por periudhat e tij te Fulham dhe Everton nuk sollën vazhdimësi, pasi nuk arriti të shënojë asnjë gol me asnjërën prej tyre.
Në total, Broja regjistroi vetëm 38 paraqitje me ekipin e parë të Chelsea-t, duke realizuar 3 gola. Edhe pse një produkt i akademisë së klubit londinez, ai nuk arriti kurrë të bëhej pjesë e qëndrueshme e skuadrës së parë.
Gjatë verës, klube si Milan, Ajax, Leipzig dhe PSV Eindhoven shfaqën interes për shërbimet e tij, por asnjëri nuk paraqiti një ofertë konkrete. Kjo bëri që opsioni më realist për sulmuesin kuqezi të mbetej Burnley, një mundësi për ta rifilluar karrierën me më shumë minuta dhe besim.
Transferimi i Brojës te Burnley pritet të zyrtarizohet brenda ditës, duke shënuar kështu një fillim të ri për lojtarin që ende ruan një potencial të madh, nëse arrin të lërë pas dëmtimet dhe të rikthejë formën e tij më të mirë. (A2 Televizion)