Champions League, Inter, Bayern, Real dhe City mes te kualifikuarave

Nga Erald Kodhelaj
9 Nëntor 2023, 16:13 | Futboll

Champions League, Inter, Bayern, Real dhe City mes te kualifikuarave

Gjashtë nga 16 skuadrat që do të luajnë në turin me eliminim direkt të Champions League janë zbuluar. Pas katër ndeshjeve të para në fazën e grupeve janë përcaktuar më tepër se 1/3 e ekipeve që do të vijojnë rrugën në eventin më të rëndësishëm në Europë.

Interi është e vetmja italiane që festoi, ashtu si Manchester City që përfaqëson denjësisht Anglinë. Spanja ka dy ekipe, ku Realit të Madridit i shtohet Real Sociedad. Edhe Gjermania është në pozita të mira, ku përkrah Bayern-it, festoi edhe Leipzig.

Bavarezët janë kualifikuar për të njëzetën herë pa ndërprerje nga faza e grupeve në Champions, duke regjistruar 17 fitore me radhë, teksa nuk e njohin humbjen në këtë pjesë të aktivitetit prej 38 ndeshjesh.

Në anën tjetër, Reali i Madridit ka vendosur një rekord absolut me 27 kualifikime me radhë në 1/8. Jo rastësisht klubi mbretëror është edhe skuadra më e mirë në historinë e Champions League.

Manchester City që kërkon të konfirmohet si ekipi më i mirë i momentit në Europë, u kualifikua pa probleme. Mbrojtja e kurorës nuk do të jetë një mision i lehtë, por të besuarit e Guardiolës, të udhëhequr nga golat e Haaland do të provojnë deri në fund. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos